POROSIA E UBADE IBN SAMIT
- ismeti7
- 6 dec. 2016
- 5 min läsning
Transmetohet nga Ubade ibn Samiti (RadijAllahu anhu), Allahu qoftë
i kënaqur me të, se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut (SallaAllahu
alejhi ue sel-lem): “M’i garantoni mua gjashtë gjëra prej veteve tuaja, unë po ua garantoj xhenetin:
- Thoni të vërtetën kur të flitni.
- Qoni në vend premtimet tuaja.
- Kryeni amanetet (besatimet) tuaja.
- Ruani organet tuaja të turpshme.
- Ulni shikimet tuaja dhe
- Shmangni duart tuaja.
Shpjegimi i hadithit të Ubade ibn Samitit (RadijAllahu anhu):
POROSIA E PARË: “Thuajeni të vërtetën kur të flitni …”
Sinqeriteti është prej ahlakut në të cilin na ka ftuar Islami dhe është përqendruar i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem).
Allahu Subhanehu we te A'la thotë:
“O ju që keni besuar, frikësojuni Allahut, dhe bëhuni të sinqertë.”
(Et-Tevbe 9, 119)
Pra, Allahu i Lartë i urdhëron robërit e tij besimtarë që të jenë të devotshëm, e kjo do të thotë praktikimi me respekt i urdhrave të Allahut të Madhërishëm, largimi nga ndalesat e Tij dhe sinqeriteti në fjalë dhe vepra.
I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Përmbajuni sinqeritetit, sepse sinqeriteti çon dhe të udhëzon në mirësi, e mirësia çon në xhenet dhe derisa njeriu të vazhdojë ta thotë të vërtetën dhe ta gjurmojë vazhdimisht, do të shkruhet tek Allahu (siddik) i sinqertë.” (Buhariu dhe Muslimi)
E domethënia e hadithit është: Përmbajuni sinqeritetit në fjalët dhe veprat tuaja, sepse sinqeriteti në fjalë e vepra përmirëson gjendjet tuaja,
Allahu Subhanehu we te A'la thotë:
“O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta, Ai ua përmirëson punët tuaja dhe ua fal mëkatet, e ai që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka arritur fitore të madhe.” (El- Ahzab 33, 70-71)
Nuk ka mundësi të përmirësohet gjendja e muslimanëve përderisa të mos jenë të sinqertë në fjalët dhe veprat e tyre:
Allahu Subhanehu we te A'la thotë:
“Allahu nuk ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata të mos e ndryshojnë veten e tyre.” (Er-Ra’d 13, 11)
Ndërsa sinqeriteti çon dhe udhëzon kah mirësia, e mirësia në Islam është e përmbledhur në një ajet të vetëm e që quhet ajeti i bamirësisë,
Allahu Subhanehu we te A'la thotë:
“Nuk është mirësi t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja e perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut dhe, Ditës së Gjykimit, melekëve, Librit (të shpallur nga Allahu), Pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe e shpenzon për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zekatin dhe ata që kur premtojnë i zbatojnë premtimet dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertë dhe mu ata janë të devotshmit.” (El-Bekare 2, 177)
Pra, sinqeriteti çon në mirësi dhe në besim, adhurim, ahlak dhe marrëdhënie të mira. E këto çojnë në xhenet. E lusim Allahun e Lartë që të na bëjë prej të sinqertëve në fjalë dhe vepra deri kur të përmirësohet gjendja jonë.
POROSIA E DYTË : “…çoni në vend premtimet tuaja…”
Zbatimi i premtimit është prej cilësive të besimtarëve, kurse moszbatimi i tij është prej cilësive të dyfytyrëshave.
I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Shenjat e munafikut janë tre: kur flet, gënjen, kur premton, nuk zbaton dhe kur t’i besohet diçka, tradhton.” (Buhariu dhe Muslimi)
Ndërsa, shenjat e besimtarit janë: kur flet, thotë të vërtetën, kur premton, e zbaton premtimin dhe kur t’i besohet diçka, e çon në vend amanetin.
Allahu Subhanehu we te A'la thotë:
“Zbatoni premtimin që ma keni dhënë Mua, edhe Unë e zbatoj premtimin Tim, që ua kam dhënë juve.” (Bekare 2, 40)
“O ju që keni besuar, zbatoni zotimet tuaja…” (Maide 5, 1)
“Çoni në vend premtimet e Allahut kur të besatoheni.” (Nahl 16,91)
Gjithashtu thotë:
“Realizoni premtimet, sepse për premtimet do të ketë përgjejgjësi.”
(Isra 17, 34)
Pra, jemi të obliguar t’i zbatojmë premtimet, zotimet dhe porositë, e kjo është prej cilësive të besimtarëve. I Dërguari (SallaAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk ka fe ai që nuk ka besë.”
POROSIA E TRETË: “… dhe kur t’ju besohet diçka, kryejeni atë…”
Allahu Subhanehu we te A'la thotë:
“Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua dorëzoni pronarëve të tyre.”
(Nisa 4, 58)
E kjo përfshin të gjitha amanetet për njeriun, duke filluar nga të drejtat e Allahut të Lartë, siç është namazi, agjërimi, zekati, haxhi, urdhërimi në të mirë, ndalimi nga e keqja e të tjera, e gjithashtu përfshin edhe të drejtat e njerëzve siç janë garancitë e dorëzanitë etj.,
e i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk ka iman ai i cili njerëzit nuk kanë besim në të.”
POROSIA E KATËRT: “… ruani organet tuaja të turpshme…”
Domethënë: Ruani organet tuaja nga zinaja (amoraliteti) dhe nga shkaktarët e tij. I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush më garanton mua që do ta ruajë atë që i ka në mes të dy faqeve (gjuhën) dhe atë që e ka në mes të dy këmbëve (organin gjenital), unë po ia garantoj atij xhenetin.”
POROSIA E PESTË: “… ulni shikimet tuaja…”
Shikimi është çelësi, e kur besimtari e ndalon shikimin e tij nga ajo që Allahu ia ka bërë haram prej shikimit në femrat e huaja dhe gjërat e tjera që janë haram, ai tanimë e ka ruajtur organin e tij; e kur ai e lëshon shikimin, shikimi do ta shpjerë deri te ajo pas tij, derisa ta shpjerë në zina, e mu për këtë
Allahu Subhanehu we te A'la ka thënë:
“Thuaju besimtarëve le t’i ulin shikimet e tyre dhe le t’i ruajnë organet e tyre të turpshme, kjo është më e pastër për ata e Allahu është i informuar në hollësi për atë që ata punojnë. Thuaju edhe besimtareve le t’i ulin shikimet e tyre dhe le t’i ruajnë organet e tyre të turpshme.”
(En-Nur 24, 30-31)
Pra, ulja e shikimit i ruan organet e turpshme, ndërsa ruajtja e organeve e ruan fenë, nderin, prejardhjen, gratë dhe fëmijët.
POROSIA E GJASHTË: “…dhe shmangni duart tuaja…”
Domethënë: Shmangni duart tuaja nga çdo gjë që Allahu e ka ndaluar prej prekjes së grave të cilat janë të ndaluara, shmangni duart tuaja nga dëmtimi i të tjerëve me gjuhë e me dorë, ngase i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) muslimanin e ka përshkruar kështu:
“Musliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurtë muslimanët.”; kurse besimtarin e ka përshkruar kështu:
“Besimtar është ai prej të cilit njerëzit janë të sigurtë në gjaqet dhe pasuritë e tyre.”; ndërsa muhaxhirin (të shpërngulurin) e ka përshkruar kështu: “Muhaxhir (i shpërngulur në rrugën e Allahut) është ai i cili shpërngulet nga ajo që ka ndaluar Allahu.”
Prandaj, besimtari nuk dëmton askë, as me dorën e as me gjuhën e tij, duke iu larguar përgojimit, mbartjes së fjalëve, sharjes, ofendimit, shpifjes, mallkimit etj.
I Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Besimtari nuk është fyes, mallkues, vullgar, i pahijshëm e as fjalëfëlliqur.”
Pra, besimtari e shmang gjuhën dhe dorën e tij nga harami, kështu që nuk e godet askë me dorën e tij, nuk vjedh nga pasuritë e të tjerëve, nuk shkul lëvrimet e të tjerëve dhe nuk prek asgjë që Allahu e ka ndaluar.
Dhe ky është kuptimi i fjalës së tij: “shmangni duart tuaja.”
Përgaditi: Ismet Hyseni
Strömstad. 2016.12.06
Comentarios